by Admin

Burrë në tre minuta

Shfaqja “Burrnesha” solli në FemArt nji prej fenomeve nga Shqiperia e Veriut e vende të tjera nga Ballkani, që sjellë nji perspektivë tjetër në formimin e gjinisë si koncept në shoqërinë shqiptare patriarkale. Rasti i burrneshave si i tillë kontribuon sidomos në fushën e studimeve gjinore. Ani pse shpesh burrneshat referohen si “gra që kanë jetuar si burra” duke e ditë që gjinia asht veq nji koncept social e jo përcaktim biologjik, nuk e di nëse do të ishte korrekte të quhen gra të cilat jetuan si burra, sepse ata si “burrnesha” në aspektin social ishin vetëm burra. E mënyra tjetër që kishim mund me i identifiku, duke e theksu elementin biologjik dhe atë social do të definohej si persona të seksit femër që u identifikuan si burra, a të cilët mund të kenë jetuar apo jo për në kohë duke u identifikuar si gra.

Gjinia mbi të gjitha ashtu siq Judith Butler argumenton asht performancë. Ne nuk lindim gra e burra, e madje nuk duhet as të kufizohemi në këto terme polare burrë e grua. Cka në na bënë gra e burra, e të gjitha gjinitë tjera, janë rolet tona sociale që ne i performojmë. Kur jemi mes turmash e shohim njerëz përreth mënyra e parë si i dallojmë “burra” e “gra” asht pikërisht dukja e tyne, veshja e tyne, e jo ndërtimi biologjik.

Dritat në skenë na dërgun me nji kand ku prej nji vajze të re me nji fustan me lule e me flokë gërsheta, na doli nji burre me pallto a kapele. Nuk u deshtën më shumë se 3 minuta, dhe nga nji vajzë na doli nji burrë. I gatshëm me i marre rolet që shoqnija i ka caktu nji burri, ani pse brenda “saj” kurgjo nuk ndryshoi, mendja e saj qe e njejta përkunder qe mendimet me siguri ndërrun. Krejt cka u desht me jetu si burrë u kriju në tre minuta, aty në skenë para nesh. E mandej kjo burrneshë u dasht t’msojë të pije, të ndezë cigaren, ti bjerë fyellit e të bahet pjesë e “bisedave të burrave”, krejt k’to qe nuk mundi me i bo sa qe në veshje gruaje. Nji element tjetër shume i randsishëm për burrneshat e për shoqninë tonë mbetet seksualiteti i grave, e nji burrneshë për të jetu si burrë heq dorë nga cdo knaqësi seksuale duke u betu si virgjereshë. Asht e dhimbshme qe nji grua vetëm nën petkun e burrit ka mund të ketë frenat e jetës së saj në duar, vetëm duke u betu si virgjereshë ka mund me i shpëtu nji martese të detyrueshme për to. E sa të tjerat nuk e kan marrë vendimin për të jetu si burrnesha fare por kan qenë të detyruara nga familjet e rrethanat e kohës. Në familjet shqiptare u desht nji burrë, ose te paktën nji portretizim i burrit të udhëqehë me familje sa për ti mbushe egon patriarkatit që ata që udhëheqin duhet të jenë burra në cdo mënyrë. Regjisorja Valbona solli në FemArt nji perspektivë tjetër në jetën e nji burrneshe, e solli jetën në mes dy gjinishë, jetën mes pikëpyetjesh e dëshirash të mbytura, jetë mes dilemash e luftë me veten në kërkim të nji identiteti.

add a new comment

CONTACT


Contact In Details

Address

Str. Zenel Salihu Z4 -S3 00022 (0.52 mi) Pristina 10 000

Phone

+381 (0)38 221512 - 09:00am - 17:00pm

Email

femartfest@gmail.com