by Admin

Mirë se vini në Femart!

Nëse do të më pyesnit që tani të përmend emrat e disa grave për të cilat kam mësuar në shkollë në Kosovë, unë ndoshta do të isha në gjendje ti them vetëm emrat Elena Gjika, Shote Galica dhe motrat Qiriazi. Numri i grave artiste për të cilat unë kam mësuar në shkollë është akoma më i vogël. Ashtu si shumica e grave të reja të cilat ndoqën sistemin arsimor të Kosovës, zbulimi i punës së grave artiste të mëdha, veçanërisht atyre shqiptare, ndodhi me forcat tona, jashtë klasës.

Ky zbulim, për mua të paktën, më hapi drejt në mundësinë e asaj se si mund të dukej arti i madh shqiptar si dhe gama e gjerë e tregimeve që mund ta tregonte. Zbulimi dhe përjetimi i punës së grave si Musine Kokalari, Androniqi Zengo, dhe Tefta Tashko Koço më bëri të pyes veten sa nga tregimet e grave tona kanë mbetur të pathëna, duke mos gjetur vend përkrah burrave të mëdhenj për të cilët ne mësojmë në shkollë. Është një tragjedi nëse merrë parasysh sa vepra arti asnjëherë nuk janë krijuar, sepse në trojet shqipfolëse të jesh e lindur grua historikisht do të thoshte të qenit analfabete, e paarsimuar, dhe e mohuar nga çdo formë e zgjedhjes personale.

Një natë para se të shkruaja këtë blog, unë isha duke u larguar nga një ndeje kur një i njohur e vuri re qantën-qese (totebag) time të Femart-it. Pas hutisë fillestare dhe sqarimit tim, komentet që pasuan ishin, “Pra, ato [femrat] nuk lajnë enët më?” dhe ” Nuk bëjnë fli?” Ka qenë një nga ato momente shumë të zakonshme të të jetuarit këtu, ku edhe ideja e festivalit të artit të grave shoqërohet me pastrim dhe gatim. Shtresa e shtuar mbi këtë, natyrisht, eshte stereotipi i gruas shqiptare, që nuk bën asgjë, përveç se pastron, riprodhon, dhe gatuan fli. E marr me mend se kosovarët janë mësuar aq shumë të shohin gruan në këtë rol, sa që çdo gjë tjetër jo vetëm se është e çuditshme, por edhe zbavitëse.

Kjo është një nga arsyet pse unë jam shumë e gëzuar që do të shkruaj bllogje për Femart, festivalin e vetëm të këtij lloji në Kosovë. Veprat e artit që do të tregohen anembanë Prishtinës gjatë gjashtë ditëve të ardhshme do të na çojnë nëpër peisazhe të fshatrave kosovare për të dëgjuar këngë popullore të grave, në dhomën e gjumit të një gruaje të re në Gjermani që përshkruan se çfarë do të thotë për te të qenit shqiptar, në llafet e një salloni të imagjinuar bukurie në Kosovë, në punën dhe vdekjen e mistershme të një gazetarit raportues të luftës serb, dhe tregimet e grave që kanë mbijetuar luftën në Bosnje, ndër shumë tjerash.

Këto janë tregime që na nevojiten, dhe tregime për të cilat jam shumë e lumtur që do të paraqiten këtu, falas dhe të hapura për të gjithë. Unë vazhdimisht do t’ju jap informata të përditësuara në secilën ditë të festivalit, krahas bllogjeve që përshkruajnë secilën performancë që do ta ndjeki.

Shihemi në festival,
Hana

add a new comment

CONTACT


Contact In Details

Address

Str. Zenel Salihu Z4 -S3 00022 (0.52 mi) Pristina 10 000

Phone

+381 (0)38 221512 - 09:00am - 17:00pm

Email

femartfest@gmail.com