by Admin

“Regjia dhe Mizogjinia”: Regjisoret Flasin në Femart

Filmi është një prej atyre përjashtimeve në Kosovë, ku gratë kanë krijuar një hapësirë për të treguar historitë e tyre. Numri i regjisoreve gra që kanë fituar çmime në ditet e sotme është koxha një kontrast me skenën kinematografike të paraluftës, ku vetëm emra si Isa Qosja kanë mbizotëruar.

Në panelin “Mizogjina dhe Regjia,” Festivali Femart ka mbledhur regjisore të filmit dhe të teatrit në Kosovë për të biseduar mbi reprezantimin historik të grave në kinematografinë kosovare dhe mënyra se si patriarkaliteti riprodhohet në industrinë e filmit, mbrenda dhe jashtë Kosovës. Moderatorja ka qenë regjisorja dhe drejtoresha artistike e Festivalit Femart, Zana Hoxha Krasniqi. Pjesëmarrëset kanë qenë Blerta Zeqiri (Kthimi), Lendita Zeqiraj (Ballkoni), Kaltrina Krasniqi (Kanarinët e Dinë), More Raça (Ku është Doni) dhe Arlinda Morina (Rrobaqepsja).

Pyetja e parë e Hoxha Krasniqit është për momentin kur panelistet kanë verejtur qasje mizogjiniste në filmat e prodhuar në Kosovë. Zeqiri tha se specifikisht mban në mend një videokasetë ku personazhja grua dashurohet automatikisht në personazhin burrë, vetëm pse ishte e nevojshme për skenarin. “Nuk vihet në dyshim që ajo e don burrin,” thotë Zeqiri. Morina cilësoi një film që e kishte parë në vitin e dytë apo të tretë të fakultetit, ku personazhi kryesor merr gruan e dytë në shtëpi: “Qashtu trajtohen femrat te na si diçka pa vlerë, si një traditë e jona është paraqit (martesa me më shumë se një grua), si “nuk është kurgjo kjo”.

Regjisoret (nga e majta): More Raça, Blerta Zeqiri, Lendita Zeqiraj, Zana Hoxha Krasniqi (moderatorja), Arlinda Morina dhe Kaltrina Krasniqi. Fotografja: Majlinda Hoxha.

Krasniqi, e cila ka studiuar prodhimet filmike kosovare (së fundmi publikoi një artikull mbi VHS filmat e viteve te 90’ta në edicionin e fundit të Kosovo 2.0-së), tha se filmat në Kosovë historikisht kanë projektuar një jetë të rrejshme dhe karaktere të rrejshme. Megjithatë, reprezantimi i gruas jo vetëm se është stereotipik, sipas Krasniqit, në shum filma kosovare duket se “krijuesi asnjëherë nuk ka pas interaksion të thellë me një grua ndonjëherë. Nëse janë të reja, nëse personazhja i ka 18 vjet, ajo është gjithmonë naive, mundesh me e bo budallë. S’ka qef me shku në shkollë, ka qef mu duk e bukur. Nëse është grua në të tridhjetat, ajo është pa përjashtim shërbetore, e cila percjell direktiva. Nëse është plakë, është shërbetorja më e denjë e familjes patriarkale…Ky reprezantim përseritet në çdo film, pa marrë parasysh regjisorin dhe skenaristin, pa përjashtim i shohin gratë nëpër këto kutia”.

Ndërsa Zeqiraj e sheh këtë problematikë si pjesë e mos interesimit historik të skenës filmike ndaj realitetin e jetës së grave në Kosovë. “Eshtë e vërtetë, gruaja vjen prej punës, i përvjel mangët dhe i bënë punët e shpisë. Jemi tu fol për një mazhoritet, një 90%. Filmi duhet të reflektojë shoqërinë, por kur është fjala te vitet e mëhershme, kur ka pas regjisore meshkuj, nuk e kanë pa këtë problematikë…Personazhet e femrave historikisht në kinematografinë kosovare janë të mangëta, nuk janë reale, edhe nëse gruaja mban kova si në Vjedhësit e Bicikletës, prap gruaja ka karakterin e saj, është një personazh komplet, i shprehur në skenar dhe film. Kjo i ka mungu kinematografisë kosovare”, tha Zeqiraj.

“Në historinë e KosovaFilmit,” shtoi Raça, “janë prodhu shumë filma ku femra s’ka qenë asnjëherë bartëse e filmit. Femra ka qenë aty sa të plotësojë boshllëqe apo të shërbejë mashkullit, i cili ka qenë bartësi i filmit”.
Hoxha Krasniqi veçon se çështja e përfaqësimit dhe të krijimit të personazheve të plota femërore thjesht nuk diskutohet në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, edhe pse është institucioni kryesor i prodhimit të teatrit dhe filmit të rinj. Si rezultat, regjisorët dhe skenaristët e ardhshëm nuk konfrontohen me problemet e përfaqësimit dhe seksizmit në film dhe teatër.

Paneli “Mizogjinia dhe Regjia”. Fotografja: Majlinda Hoxha

Pastaj Zeqiri rrëfen përvojën e saj në Fakultetin e Arteve, kur u takua me një profesor për të biseduar mbi vendimin e saj për të regjistruar në degën e filmit. “Ai profesor boni çmos mos me regjistru unë, se ‘është profesion i meshkujve, nëse vjen këtu ka orë të vona, ti nesër martohesh, e çka ke bo? Vec ia ke nxanë vendin një burri’”. Zeqiri shkoi në Francë për të studjuar regjinë (e tani është njëra prej regjisoreve më të njohura në Kosovën e pasluftës), por vlen të pyetet sa studente potenciale të filmit dekurajohen për shkak të komenteve dhe profesorëve të tillë.

Sipas Zeqirajit, të qenurit grua dhe regjisore thjesht kërkon më shumë këmbengulje. “Kur punova me Blertën [Zeqiri] (në një projekt filmi), kemi diskutu me disa regjisorë të mirënjohur kosovar, kërkonim mbështetje morale që nuk e gjetëm. Çfare reagimi, ‘kjo nuk bohet, kjo nuk mundet me u arrit’…i kemi hi punës pa marrë parasysh jo-përkrahjës, me mjete vetanake, me forca vetanake, puna që na çoi deri në [Festivalin] Oberhausen. Ky është ai motiv, për ato që dojnë me punu, ajo maspari vjen prej vetës, shoqëria duhet me qenë e përgaditun, po larg jemi. Duhet trefishë më shumë të japin ne, që ndoshta arrihet më shkurt në botë e civilizume”.

Rezultati i kësaj këmbëngulje shihet në numrin e grave regjisore të cilat janë shpërblyer me grante filmike. “Herën e fundit kur janë nda fondet e QKK-së [Qendrës Kinematografike të Kosovës], 50% të projekteve kanë qenë të regjisoreve ose të producenteve, kjo është arritje e madhe, në andërr s’kam mujt me pa para disa viteve”, tha Zeqiri. Sipas Zeqirit, kjo mund të ketë ndodh për shkak se puna komerciale fitimprurëse dominohet nga burrat në Kosovë, gjë që ka lënë një hapësirë për gratë në filma artistike të metrazhit të gjatë. “Patëm fat apo fatkeqësi mu marr me këto iniciativa jo-fitimprurëse”, shtoi ajo.

E si zakonisht kur bisedohet mbi përfaqësimin e barabartë të grave, shtrohet pyetja e vjetër: a duhet të ndodh përfaqësimi me përqindje të detyruara? “Nuk më pëlqen teoria 50-50 kur vjen puna te selektimi [i filmave për subvencionim],” thotë Raça. “Duhet mbrenda komisioneve me pas femra, nuk ka femra kryetare të bordit [seleksionues] e as të QKK-së…Ky është një fenomen në Ballkan, nuk ka gra nëpër borde, por ndryshimi arrihet nëse reprezantohemi në institucione publike”.

Në fund të panelit, Hoxha Krasniqi pyet panelistët nëse ndjenjë përgjegjësi për të futur tema të drejtësisë shoqërore dhe feminizmit në punimet e tyre. Për Raçën, çështjet sociale që e preokupojnë reflektohen në skenaret që ajo i shkruan (projekti i saj i ardhshëm quhet “Home” dhe ka të bëjë me të drejtën e trashëgimisë në Kosovë).

Paneli “Mizogjinia dhe Regjia”. Fotografja: Majlinda Hoxha

“Nuk ka mundesi me shkru, me bo fotografi, ose me xhiru diçka e mos me qenë politike, krejt ato akte në vete janë politike. Me ik prej përgjegjësisë politike është ma s’pakti budallaki, mandej është injorancë,” thotë Krasniqi. “Mu më interesojnë gratë. Nuk dijmë qysh janë gratë e Kosovës, na jemi vetë gra dhe nuk e njohim njona tjetrën, se s’kemi qenë të përfshime në sferën publike. Mu më interesojnë gratë në çdo sferë të jetës. Unë kam ndi, kam pa, dhe kemi celebru tregimet e burrave, e në princip nuk më interesojnë shumë…Une jam rrit prej grave në jetë, mu më ka rrit mami, tezja, gjyshja – dhe ndoshta i kam pas 15 vjet kur kam kuptu çka ndodh nëpër shpijat e shokëve, në çdo shpi rreth meje ekziston një komandant…shoqet kanë nana dhe teze që s’kanë zo, apo kanë [anëtarë të familjës] gay apo lesbian që s’kanë zo, jetojnë në bashkësi ku është e pranueshme mos me pas zo…Duhemi me qenë te kujdesshëm kujt i shkrujmë, mu kujdes mos me i arsyetu burrave për lirinë që e meritojmë,” ajo shton. Projekti i ardhshëm i Krasniqit reflekton këtë etikë të krijimit. Personazhja kryesore është një grua 64 vjeçe, e cila vendos të ndahet prej burrit të saj.

Por a është vështirë të krijosh në mungesë film-bërësve tjerë grua në të kaluarën? Si mund të tregojme historitë e grave tani, nëse nuk kemi modele të reprezantimit nga e kaluara? Nuk ka përgjigje të lehtë. “Një film i mirë i krijuar sot e mbush këtë boshllëkun,” thotë Zeqiraj. Raça nxjerrë inspirim prej filmave të krijuara nga gratë në Shqipëri, duke përmendur aktoren Tinka Kurti dhe regjistoren Xhanfize Keko. Ndërsa Krasniqi është në kërkim gjithnjë të gjurmëve që kanë lënë krijimtaret gra të kulturës tonë – por po ashtu përmend potencialin për inspirim nga vende me probleme të ngjashme si Kosova sa i përket mungesës së reprezantimit të mirëfilltë të grave.

Për më të rejat nga festivali, na ndiqni në këtë webfaqe, apo në faqet tona në Facebook, Twitter dhe Instagram.

add a new comment

CONTACT


Contact In Details

Address

Str. Zenel Salihu Z4 -S3 00022 (0.52 mi) Pristina 10 000

Phone

+381 (0)38 221512 - 09:00am - 17:00pm

Email

femartfest@gmail.com