by Admin

Një Thesar Zërash – Pse Kosovës i Duhen Festivale Feministe

Pse duhet të ketë një festival të ndarë vetëm për artin feminist? Është pyetje e mirë. Unë e shoh përgjigjën ne faktin se gratë, dhe specifikisht ato shqiptare, historikisht kanë qenë të privuar jo vetëm nga pjesëmarrja në jetën publike në përgjithësi, por edhe në prodhim kulturor. Ky ka krijuar një boshllëk në kulturën tonë, si dhe një qëndrim shpesh patronizues ndaj artit të prodhuar nga gratë.

Ka arsye shumë të mira për mungesën historike të grave në kulturën shqiptare. Në kohën kur çlirohet Shqipëria në 1912 (dhe për shumë dekada më vonë në troje shqiptare jashtë shtetit shqiptar), shumica e grave shqiptare kanë qenë jo vetëm të pashkolluara, por analfabete. Shumica prej tyre janë përballur me mbulim të detyruar, izolim të detyruar, martesa të detyruara, shtatzani të detyruara dhe punë të detyruar shtëpiake – për një kohë shumë më të gjatë se sa kemi dëshirë të kutjojmë. Shumë prej nesh ndoshta mbajnë në mend rezistencën ndaj shkollimit të vajzave në gjeneratën e gjyshjeve tona, në një kohë jo shumë të largët. Në keto kushte historike, është e kuptueshme që kemi më pak romane, simfoni, piktura, drama dhe filma të prodhuara nga gratë shqiptare.

Portrait of women from Dardha. Photo by Thimi Raci, circa 1926-1935. Sourced from Robert Elsie's albanianphotography.net

Portret, gra nga Dardha. Fotografia nga Thimi Raci, circa 1926-1935. Burimi: webfaqja albanianphotography.net e Robert Elsie-t.

Po ashtu, në një sferë publike të dominuar nga burrat, është e kuptueshme që ato pak gra të cilat kanë arritur të shkollohen dhe të marrin pjesë në jetën publike shqiptare, kanë mbetur jashtë kujtesës tonë kolektive. Kush prej nesh mban në mend ndonjë prej tregimeve të shkurta të Musine Kokalarit, shkrimtarës së parë shqiptare? Kush prej nesh ka ndëgjuar për Nexhmie Zaimin, njëra prej gazetareve të para e cila raportoi mbi Palestinën për mediat perëndimore? Kush prej nesh mund të spjegoi si duket ndonje pikturë të Androniqi Vangjeli Zengos? Apo mban në mend ndonjë gjë nga jeta e aktorës Katarina Josipi? Sa prej nesh kemi harruar se Parashqevi Qiriazi po ashtu morri pjesë në Kongresin e Manastirit në 1908, dhe ishte e vetmja grua prezente? Ky boshllëk në kujtesën tonë krijon përshtypjen e gabuar se edhe ato pak gra të cilat ishin të përfshira në jetën publike shqiptare nuk kanë ekzistuar fare – apo kanë dhënë vetëm kontribute minimale kulturës shqiptare.

Ky boshllëk vazhdon të krijojë paragjykime totalisht pa bazë për krijueset gra. Përderisa artistët burra përballen me pyetje serioze nga mediat tona, artistet gra mund të presin pyetje sikur: “Sa ndikon bukuria e femrës për me ec në jetë…a i dedikoni një pjesë të këtij suksesi edhe natyrës që është tregu bujare me ju?” apo “Pse ka kaq pak shkrimtare femra, apo si shumë profesione tjera letërsia është për burrat?” Duke mbushur një javë të tërë me gra krijuese, festivale si Femart sfidojnë idenë se gratë nuk kanë kapacitet për të krijuar apo nuk kanë tregime për të rrëfyer. Por, mund të pyesni, a nuk është ky mbi-përfaqësim i grave seksist? Mendoj se jo. Historia zyrtare e artit është e mbushur me një shumicë emrash burrash që zgjat qindra vjet. Një festival gjashtë-ditësh nuk e ndryshon këtë fakt. Po të paktën e sfidon.

Për më të rejat nga festivali, na ndiqni në këtë webfaqe, apo në faqën tonë në Facebook, Twitter, dhe Instagram.

add a new comment

CONTACT


Contact In Details

Address

Str. Zenel Salihu Z4 -S3 00022 (0.52 mi) Pristina 10 000

Phone

+381 (0)38 221512 - 09:00am - 17:00pm

Email

femartfest@gmail.com