by Admin

Pesë Pika Përmbyllëse Për Femart-in

Këtë blogun përmbyllës e kam pas në agjendë prej përfundimit të festivalit Femart, së bashku me katër blogje tjera që kanë mbet akoma si shënime në fletore. Prej ku të filloj?

E para, festivali ka krijuar një komunitet artistësh dhe aktivistësh – tingëllon si gjë e vogël, po nuk është, sidomos për një festival feminist. Bisedat që i kam pasur gjatë festivalit, për paraqitjen e dhunës në skena teatrale, për historinë e aktivizmit politik dhe feminist në Ballkan, ngjashmëritë e sfidave midis Kosovës dhe Jordanit, nuk janë biseda që i bëj për çdo ditë – dhe janë të mirëseardhura kur ndodhin.

Flutura Balaj në Festivalin Femart. Fotografja: Majlinda Hoxha

E dyta, është arritje e madhe për çdo festival kur krijohet hapësirë për krijuesit e rinj. Mos të kishte qenë Femarti, nuk do të isha njoftuar kurrë me slam poetën Flutura Balaj. Balaj është gjimnaziste dhe ka performuar poezitë e saj për herë të parë sivjet, në natën e dytë të festivalit. “Kam qenë vetëm dymbëdhjetë veçare,” ajo thotë, kur ka filluar të urrejë trupin e saj – dhe vazhdon me një rrëfim mbi rritjen e saj në kulturën toksike që i prejt vajzave në Kosovë në momentin që hyjnë në pubertet. Kam pa vetën në poezitë e saj, dhe kjo nuk ndodh shpesh.

Christine Salem në Festivalin Femart. Fotografja: Majlinda Hoxha

E treta, diversiteti i tregimeve që janë shfaqur nëpërmjet filmave, shfaqjeve dhe koncerteve ka qenë koxha i pasur – dhe koxha i vështirë të përmbledhet shkurtimisht. Me filmin “Bota” shohim një Shqipëri e cila përmban po aq bukuri sa dhimbje, në “Copë Copë” brutaliteti i përditshëm ndaj grave në Kosovë jepet zë dhe fytyrë, në Ngjyrat e Gushtit shohim se si një tregim i shkruar në Spanjë merr nuansa tjera në Kosovë, Rina Kaçinari ri-interpreton çka kishim konsideruar si muzikë “serioize”, Christine Salem dërgoi audiencën e Teatrit Oda drejt në Ishullin Reunion, “Rrëfimet Private” dëshmon se si trauma trashëgohet, prej gjeneratës në gjeneratë. Ka më shumë se sa që kam pas mundësi me përcjell, dhe akoma jam e zhgënjyer që nuk arrita dot me percjell shfaqjen “Qielli i Heshtur”.

Jonida Beqo në shfaqjën “Qielli i Heshtur”. Fotografja: Majlinda Hoxha

E katërta, panelet – zakonisht i evitojë sa më shumë që mundëm, por temat sivjet ishin tema feministe të cilat nuk bisedohen aq sa duhet: përfaqësimi kulturor, aborti dhe autonomia e trupit, qasja në pronë dhe roli i burrave feminist si aleatë. Në kushte normale këto biseda ndodhin kryesisht në hapësira private, edhe pse janë esenciale për një shoqëri më të shëndoshë e më të barabartë.

E pesta, me çdo edicion të festivalit pasurohet historia e krijimit feminist në Kosovë. Siç thashë në blogun tim të parë, Pse Kosovës i Duhen Festivale Feministe, ngjarje si Femart mbushin një boshllëk historik. Në mungesën historike të krijuesve gra në kontekstin shqiptar, është me rëndësi të krijojmë këtë trashëgimi në të tashmën. Rrëfimi i tregimeve është po aq akt artistik sa është edhe politik – dhe shumica e tregimeve që i kam përjetuar në Femart sfidojnë të kaluarën, i japin zë atyre që janë detyruar të heshtin, dhe synojnë mundësi pafund në të ardhmën.

Deri në edicionin e radhës,
Hana

add a new comment

1 Comments

Millicent Nov 20, 2016

That’s way the bessett answer so far!

CONTACT


Contact In Details

Address

Str. Zenel Salihu Z4 -S3 00022 (0.52 mi) Pristina 10 000

Phone

+381 (0)38 221512 - 09:00am - 17:00pm

Email

femartfest@gmail.com