by Admin

Revoltë dhe Dhembshuri: Fitore Berisha në Femart

Kur takohem me Fitore Berishën te Teatri Oda ajo është midis instalimit të ekspozitës së saj, me vidiator në dorë. Pas 10 vite në Islandë, artistja multimediale Berisha është kthyer në Kosovë me disa punime: një performancë e vallëzuar e quajtur “Revolta Kundër Dhunës”, një seri të fotografive të quajtur “Përqafim/Përqafoj”, dy piktura dhe një video performancë. Në bisedën tonë flasim shpesh për potencialin shërues të krijimit artistik, sidomos në një vend sikur Kosova – ku shumë njerëz bartin me vete trauma të cilat nuk janë adresuar.

Performanca “Revolta Kundër Dhunës” në veçanti merret me temën e traumës. Në këtë performancë (e intrepretuar në Festivalin Femart nga Agnes Nokshiqi dhe Tristan Halilaj), rrëfehet potenciali i dashurisë, dhunës dhe shkatërrimit në marrëdhënien burrë-grua. Performanca tregon se çfarë ndodh kur dashuria shoqërohet me cënim, dhe lehtësinë me të cilin dashuria mund të shëndrrohet në dhunë.

Nepërmjet narativës së performancës arrihet një efekt gati terapeutik për shikuesin. Kjo nuk është e rastësishme. “Unë si personalitet, përmes artit kam bërë një shërim, si terapi arti, dhe qëllimi im është të provokojë shoqërinë nëpërmjet artit. Se ne jemi një gjeneratë e cila ka tejkaluar një konflikt civil, na ka lënë si shoqëri e thyme, dhe duhet me qenë një proces i shërimit. Nëse shohim çka po ndodh tash në botë, ky ka qenë një mllef i imi. Kam dashtë me thënë boll ma, stop. Sepse dhuna po përseritet e po përseritet, ky ka qenë mesazhi im”, thotë Berisha.

Nga webfaqja e Fitore Berishës, fitoretheartist.wix.com

Nga webfaqja e Fitore Berishës, fitoretheartist.wix.com

Ky mesazh përseritet edhe në serinë e fotografive të përzgjedhur nga Berisha, ku fjalë të ndryshme janë të vizatuara mbi trupet e subjekteve. Mbi trupat e grave, shihen fjalë sikur “pidh”, “përdhunim”, dhe “e fëlliqur”. Eshtë e qartë se këto fjalë mbajnë një peshë shumë të rëndë, e cila vizualizohet nëpërmjet Berishës. “Krejt këto fjalë të ndyta, unë i mbaj në mend dhe ende sillen, jo vetëm te na por edhe ne mënyrë më globale”.

Por është pikërisht konteksti i Kosovës që më intereson mua, ku perspektiva e Berishës është njëkohësisht thirrje për çlirim edhe dhembshuri. Kur e pyes mbi mënyrën se si të qenurit grua (dhe specifikisht grua shqiptare) ka ndikuar në mënyrën se si ajo trajton temat e shfrytëzimit dhe dhunës në punën e saj, përgjigja e saj është e qartë. “Kjo është me gjenerata, me dekada. Po nisem prej familjes […] ku stërgjyshja, gjyshja, nana dhe unë, krejt kemi qenë të abuzume në këtë shoqëri. Abuzim intelektual, emocional, dhe fizik i shoqërisë, dhe i një konflikti të madh që na shkatërroi si shoqëri”.

Për Berishën, performanca “Revolta Kundër Dhunës” ka një konotacion tjetër në Kosovë. Përderisa në Islandë performanca kërkonte spjegim nga ana e Berishës për patriakalitetin dhe historinë e Kosovës, performuesit kosovar e kanë kuptuar thelbin e peformancës pa shumë spjegime shtesë. Disa herë nga Berisha përmendet nevoja e shoqërisë kosovare për shërim, si nga plagët e luftës si nga ato që janë të vet-shkaktuara. Duke nisur nga rruga të cilën ajo ka ndjekur për të shëruar plagët e saj dhe për të gjetur vetën, Berisha sugjeron dhembshurinë e njejtë për shoqërinë kosovare.

“Prej nje kendveshtrimi të gjërë, Kosova ka perjetu shumë […] E kjo shoqëri e thyme duhet gradualisht me i shëru plaget…Nuk është lehtë […], në çka kemi kalu, e po mendoj qe ky konflikti i fundit na ka lëndu shumë […] une i japi kredit, une i japi çdokujt kredit, unë mendoj se secila familje ka stres post-traumatike [në Kosovë]. Unë kam punu me vetën shumë kur kam shku atje [në Islandë], […] me terapi, me art, me budizem jam marr, duke kërkuar [vetën]”.

Kur e pyes Berishën se çfarë dëshiron që audienca të kuptojë prej punës së saj, ajo lenë interpretimin e punës së saj të hapur. “Krejt është individuale. Njerëzit munden me pa një Fitore që është rebele, dhe njerëzit munden me ardhë me pa çka ka me tregu Fitorja. Unë kam atë anën që është shumë zemërmirë dhe shumë e hapur, por edhe ajo anë që është shumë revoltuese kundër sistemit”.

Për më të rejat nga festivali, na ndiqni në këtë webfaqe, apo në faqën tonë në Facebook, Twitter, dhe Instagram.

add a new comment

CONTACT


Contact In Details

Address

Str. Zenel Salihu Z4 -S3 00022 (0.52 mi) Pristina 10 000

Phone

+381 (0)38 221512 - 09:00am - 17:00pm

Email

femartfest@gmail.com