by fjolla

Sfida dhe ëndrra në tejkalimin e kufizimeve

Çdokush ka sfida për të arritur deri te ëndrra, por kur kësaj të fundit i shtohen edhe kufizimet rruga vështirësohet akoma më shumë.

Megjithatë kjo nuk do të thotë të ndalosh së ëndërruari e së punuari në tejkalimin e kufizimeve.

Në ditën e katërt të FemArt u mbajt edhe paneli më frymëzues me gra që edhe pse kishin nevoja të veçanta, invaliditet apo si të shprehem pa dashur t’i dalloj nga çdo njeri normal ia dolën mbanë.

Nëra nga to është Fazile Bungu e cila drejton shoqatën “Hendifer” në Ferizaj.

Folën për stigmat, për ëndrrat, kufizimet, akvitizmin e tyre në baza ditore.

Fazilja tha se ne fillimisht e diskriminojmë vetveten duke e menduar si më ndryshe se të tjerët. Fillimisht duhet të fitojmë ne besimin dhe vullnetin, nuk ka duhen projektet e përsëritshme lobim advokim, por për projekte afatgjate që na lehtësojnë jetën e përditshme.

Zonja Himijeta Apuk foli për infrastrukturën që do të duhej ta kishin njerëzit që kanë ndonjë invaliditet dhe merrte shembull Amerikën.

Ajo foli edhe për gjuhën e shenjave dhe dëshirën e saj të flaktë që gjenerata tjetër që vinte pas tyre të kishte trajtim më të mirë sesa këta tani.

Duhej të krijoheshin klasat e përbashkëta, rrugë, trotuare… pyetej si ndodhë që as studentëve të ndërtimtarisë e arkitekturës nuk iu mësohet që të bëjnë të tilla projekte.

Sado që u munduan të gjejnë një term më të përshtatshëm edhe gjatë diskutimit, nuk ia dolën përveçse këta njerëz të shiheshin e të emërtoheshin si të gjithë personat e tjerë, ose në bazë të cilësive e jo paaftësive të tyre.

Besoj që shumë prej jush e njihni Marigona Përveticën e cila studion juridikun dhe për maturë mahniti me pamjen dhe unikalitetin e saj.

Ajo thoshte se në fëmijëri sa ishte në shkollë e pati problem se nuk po rritej sa fëmijët e tjerë. E pati të vështirë kur shihte se si e trajtonin ndryshe, por ia doli mbanë që nga atëherë e deri më tani të jetë një ndër studentet më të dalluara.

Ndërsa panelin e modelonte e përfshihej edhe në diskutim Elvana Shala- e para vajzë e shpallur si Ambasadore e vullnetit të mirë për Kosovën.

Një vajzë që dinte të adresonte problemet e saj, që nuk ngopej së studiuari e mësuari çdo ditë të jetës.

Tregoi një rast nga jeta e saj e përditshme kur kërkoi ndihmë nga një njeri që të ecte, por nuk i ndihmoi sepse kishte drojë se mos e shohin atë burrë duke e kapur për dore një vajzë që kishte nevojë për ndihmë.

“Sado personal ky shembull tregon shumë për kulturën dhe qasjen tonë ndaj njerëzve që kanë ndonjë paaftësi dhe kanë nevojë për ndihmë (pa dashur të përgjithësojmë të gjithë) “, tha Elvana.

Paneli vazhdoi me pyetjet e pjesëmarrësve dhe spikatjen e problemeve që kanë sidomos gratë me nevoja të veçanta dhe keqshtrytëzimi që iu bëhet atyre me raste shkurorëzimi, ose martese kur pranohen vetëm si gratë e dyta në familje.

Për rastet kur dhunuesi paraqitet si viktimë dhe shpresën e humbur te Policia e Kosovës dhe institucionet, duke i ilustruar me shembuj vetjakë ose të dëgjuar nga të tjerët.

Por, kjo nuk ishte e gjitha.

Fotografitë e ekspozuara të modeles Blerinë Murtezi morrën vëmendjet dhe duartrokitjet e uratat e të gjithëve për suksese.

Nuk i prishte punë karroca ku ishte ulur, mjaftonte ta shikoje Blerinën dhe të bindeshe për definicionin e bukurisë së vërtetë të një vajze e cila mbi të gjitha nuk hoqi dorë nga ëndrra.

Në fund asaj iu dhuruan fotografitë.

Fjolla Hajrizaj

add a new comment

CONTACT


Contact In Details

Address

Str. Zenel Salihu Z4 -S3 00022 (0.52 mi) Pristina 10 000

Phone

+381 (0)38 221512 - 09:00am - 17:00pm

Email

femartfest@gmail.com