THIRRJE PËR APLIKIM

FEMART 6 / RUN THE SHOW

FESTIVALI I ARTISTEVE DHE AKTIVISTEVE 25-30 MAJ 2018, PRISHTINË, KOSOVË FEMART është festivali i parë dhe i vetëm feminist në Kosovë, njëherësh më i madhi në rajonin e Ballkanit që për pesë vite ka bashkuar artiste dhe aktiviste nga mbarë bota në zemrën e Kosovës. Si çdo herë tjetër, edhe këtë vit, Artpolis –  Qendra për Art dhe Komunitet, organizon për herë të 6-të Festivalin FEMART nga 25-30 Maj 2017 (6 ditë) në qytetin e Prishtinës. FEMART çdo vit angazhon qindra artiste dhe aktiviste nga mbarë bota të cilat shfaqin angazhimet e tyre kreative përmes: Shfaqjeve Teatrale, Filmit, Film Dokumentar, Film të Shkurtër, Leximeve Skenike, Artit Vizual, Ekspozitave, Performancave, Koncerteve, Promovime Librash, Ligjëratave, Punëtorive, Paneleve të Diskutimeve dhe Prezantime të ndryshme në formë të artit. Festivali është një platformë për fillimin dhe paraqitjen e ideve dhe krijimeve që sjellin përpara konceptet feministe dhe zhvillimet e tyre në Kosovë duke u angazhuar për të drejtat e barabarta të grave si dhe urë lidhëse për ndërtimin e paqes në rajon. Programi do të përzgjidhet nga një grup i artisteve dhe aktivisteve profesionale të cilat kanë përvojë në fusha të ndryshme të artit dhe në njohjen e të drejtave të njeriut.