by Admin

“Trupi im, Zgjedhja ime” : Panel mbi Abortin në Kosovë

Para disa javëve, Leonida Molliqaj e Preportr-it publikoi një artikull hulumtues mbi gjendjën e abortit në Kosovë. Të dhënat e nxjerrura nga Molliqaj ishin shokues. QKUK, spitali më i madh publik në Kosovë, i mundon pacientet me ligjerata mbi moralin dhe “krimin” e abortit. Klinika të palicensuara private bëjnë aborte rregullisht, edhe pse nuk i plotësojnë kushtet për t’i kryer ato në mënyrë të ligjshme. Akoma ka gra në Kosovë të cilat tentojnë abort në shtëpi me metoda mesjetare. Pilulat për stimulim të abortit, të cilat kudo merren vetëm me udhëzim të mjekut, mund të blehen lehtë në barnatoret e Kosovës.

Por problemi shkon më thellë se kaq. Kjo heshtje është pasojë e një sistemi më të gjërë të turpit dhe nderit, ku amësia shenjtërohet por seksi shihet si akt i përlyer. Për këtë temë Festivali Femart ftoi gazetarën Leonida Molliqaj, doktorën dhe përfaqësuesën e UNFPA-s Visare Mujko-Nimani, dhe profesoret Vjollca Krasniqi dhe Nita Luci në panelin “Trupi Im, Zgjedhja Ime.”

Paneli hapet me një prezantim nga Molliqaj mbi hulumtimin e saj. Fillimisht u interesua për çështjen e abortit kur ndëgjoi nga një shoqe për një 24 vjeçare e cila kishte bërë tri aborte. Abortet i kishte kryer te një mjek privat dhe siguroi paret për abortin në borxh, të cilat i ka kthyer me para që prindërit i kishin dhënë asaj për studime. Mbeti e shtatzënë tri herë për shkak se i dashuri i saj refuzoi përdorimin e kondomit. Molliqaj tha se donte të hulumtonte mbi arsyen pse nuk përdoren mjete kontraceptive në Kosovë dhe pse abortet bëhën kryesisht në klinika të palicensuara.

Paneli “Trupi im, Zgjedhja ime”. Nga e majta: Leonida Molliqaj, Visare Mujko-Nimani, Vjollca Krasniqi, Nita Luci dhe Mrika Aliu (moderatorja). Fotografja: Majlinda Hoxha

“Edhe pse [aborti] është e drejta [e gruas], shihet si akt i turpshëm, i lidhur me moralin dhe nderin,” tha Molliqaj. Në QKUK veçanërisht tha se dallohej një qasje shumë moraliste ndaj abortit, ku gratë i nënshtroheshin ligjëratave për vlerat e amësisë. Për shkak të kësaj qasje dhe mbrojtjës së dobët të identitetit të tyre nga spitalet publike, gratë gjejnë forma më të fshehta për abort – në klinika private, në shtëpi, apo nëpërmjet pilulave për abort. Molliqaj spjegoi se nga 122 klinikat private të regjistruara gjinekologjike, vetëm 5 prej tyre kanë licensë për abort. Meqë kostoja për abort në klinikat e licensuara është shumë e lartë për shumicën e gave, shumë gra zgjedhin klinika të palicensuara.

“Aty aborti është shumë proces i lehtë. Nuk jep të dhëna personale, nuk bëhën pyetje, dhe kushton 200 euro,” tha Molliqaj. Dy metodat tjera të “fshehta” është aborti në shtëpi (nëpermjet përplasjës së barkut, për shembull) dhe blerja e pilulave për abort. Pilulat për abort kushtojnë lirë (50 deri në 80 centë) dhe mund të blehen me shumë lehtësi nëpër barnatoret e Prishtinës. Por pa përcjellje dhe kontrolla paraprake, mund të shkaktojnë probleme sikur gjakderdhja, “qe mundet me dalë jashtë kontrollës,” siç tha Molliqaj.

Por shqetësimi më i madh në krejt këto të dhëna është fakti që aborti përdoret si mjet kontraceptiv në Kosovë, gjë që ka konsekuensa shumë serioze në shëndetin e grave – dhe po ashtu cënon lirinë e tyre për të vendosur se kur duan të bëhën nëna. “Shumë gra nuk guxojnë me fol për kontraceptiv dhe janë të detyrume me bo seks pa mbrojtje,” tha Molliqaj, edhe pse shumica e grave në Kosovë janë të informuara për mjete moderne kontraceptive. Dështimi në mbrojtjen e shëndetit riprodhues të grave është i lidhur edhe me politikat e shëndetit në Kosovë. Molliqaj spjegoi se Ministria e Shëndetsisë bart fajin për mos krijimin e kushteve për shëndet riprodhues.

Leonida Molliqaj. Fotografja: Majlinda Hoxha

Mujko-Nimani, veterane e çështjës së shëndetit riprodhues në Kosovë, spjegoi legjislacioni mbi abortin dhe boshllëqet e tij. Aborti selektiv në Kosovë është i ligjshëm deri në javën e dhjetë, duke filluar numërimin nga dita e parë e ciklit menstrual – por çdo abort pas dhjetë javëve mund të bëhet vetëm me konsultim të mjekut. “Në klinika private aborti nuk është i ndalum në mënyrë eksplicite, ligji vetëm thotë se duhet me pas qasje të sigurte. Sa janë klinikat private gati me dhanë këtë siguri, është një grey zone ligjor,” tha Mujko-Nimani.

Mujko-Nimani po ashtu veçojë se mënyra se si mendohet mbi abortin varet nga mosha dhe gjendja familjare e gruas. Në revidimin e ligjit mbi abortin, ajo tha se gra të martuara kanë qenë për një kohë shtesë midis vendimit dhe abortit për të ndryshuar mendjen – gjë që gra më të reja dhe të pamartuara e kundërshtonin. “Janë aspekte dhe këndvështrime të ndryshme. Ne si UNFPA nuk e promovojmë abortin si mjet kontraceptiv. Por në vendet ku është e ligjshme, të bëhet në mënyrë të sigurtë dhe të mos rrezikohet jeta e gruas,” tha Mujko-Nimani.

Por, çka ndodhë kur aborti bëhet pa një edukatë më të gjërë seksuale? Mujko-Nimani jep si ilustrim një rast në Kosovë, ku një mjek bëri 11 aborte me gruan e njejtë, por nuk e këshillonte në përdorimin e ndonjë mjet kontraceptiv. “Këshillimi është pikë shumë e dobët. Konfidencialiteti është cështja tjetër,” tha Mujko-Nimani.

Visare Mujko-Nimani. Fotografja: Majlinda Hoxha

Krasniqi e sheh qëndrimet mbi abortin në Kosovë si vazhdimësi e një rendi familjar patriarkal, i cili lidhet drejtpërdrejt me politikat dhe shtetin. “Ligji në letër mundet me qenë shum i avancum, por praktikat rreth abortit janë të ndryshme, janë të rrezikshme. Janë shprehje të raporteve jo të barabarta dhe është reflektim i kulturës patriakale. Historikisht burrat vazhdojnë me ushtru kontroll mbi trupin e gruas nëpermjet seksit dhe riprodhimit…duhet me mendu për drejtësinë riprodhuese, dhe gratë më të margjinalizuara dhe qasja e tyre jo e priveligjuar duhet adresuar. Të gjithë thirremi të shikojmë riprodhimin nga përspektiva e barazisë gjinore,” tha Krasniqi.

Nita Luci. Fotografja: Majlinda Hoxha

Në këtë rrafsh, Luci ilustoi mënyrën se si riprodhimi nuk është asnjëherë vetëm çështje personale. Ajo tregon se si pas disa tentativave, në momentin kur mbeti e shtatzënë, “krejt lagja u gëzu për mu. Mos të kishte ardh ky gëzim nuk do të isha e realizuar si person. Vendimet tona riprodhuese shëndrrohen në vendime publike si dhe ekonomike”.

Diskursi rreth abortit reflekton standardet e dyfishta që i imponohen grave: duam gra me fëmijë, por nuk kemi dëshirë të investojmë në familje të shëndosha. “Kjo është diskrepanca ndaj idealit dhe kërkesat që i bëjmë ndaj grave, të jenë nana por pa institucione që krijojnë kushte për mirëqeniën e fëmijve. Mirëmbahet njëfarë pabarazi ekonomike, dhe ky nuk është konspiracion, lidhet me mirëmbajtjen e privilegjeve mashkullore ku trupi i gruas është resurs që menaxohet. Dhe nëpermjet statusit të grave, përcaktohet statusi i tyre [burrave]. Menaxhojnë edhe krejt çka prodhon ajo – fëmijtë si “fara” e tij, pasuria, shtëpia, toka…Kemi njëfarë pazari të patriakalitetit, dhe gratë prej pozicioneve të ndryshme e shohin mobilitetin shoqëror nëpermjet djemve,” tha Luci.

Por si përkthehen këto vlera në politika konkrete? Përmendet shpesh gjatë panelit Ferid Agani, ish Ministri i Shëndetsisë dhe figurë e njohur konzervative nga partia islamiste Partia e Drejtësisë. Mujko-Nimani spjegon se si punëtorët shëndetsorë caktuan 12 javë si periudha më e sigurtë për të kryer abort selektiv gjatë revidimit të ligjit mbi abortin. “Në atë kohë, ish-ministri Agani ka qenë anëtar i parlamentit dhe i bindi deputetët me zbrit në 10 javë, në bazë të fesë,” tha ajo. Feja islame nuk e ndalon abortin, por e lejon atë vetëm deri ne javën e dhjetë, kur përafërsisht fillon të ndëgjohet e rrahja e zemrës së fetusit.

Vjollca Krasniqi. Fotografja: Majlinda Hoxha

Ky udhëkryq i turpit, kontrollit dhe kufizimit është pjesë e një trysni më të gjërë patriarkale. “A është e mundshme me rezistu?” pyet Krasniqi. “Mendoj se po…format e rezistencës nuk janë të shënume se kane ndodhë mbrenda familjës në raporte shumë intime, larg syve të studimeve…Prandaj ka pak referenca për këto rezistenca, mbetën në institucionin e familjës dhe në kujtesë personale…Nocioni i familjës duhet të shikohet si institucion politik, për sovranitetin e trupit dhe sovranitetin politik.” Përndyshe, siç tha Krasniqi, “probleme qe kemi mendu që janë të tejkalume munden mu kthy me vrull.”

Për më të rejat nga festivali, na ndiqni në këtë webfaqe, apo në faqën tonë në Facebook, Twitter, dhe Instagram.

add a new comment

CONTACT


Contact In Details

Address

Str. Zenel Salihu Z4 -S3 00022 (0.52 mi) Pristina 10 000

Phone

+381 (0)38 221512 - 09:00am - 17:00pm

Email

femartfest@gmail.com